Studiot e Hapura III & Festivali i Performancës në Tiranë, këtë fundjavë

Studiot e Hapura III & Festivali i Performancës në Tiranë

Aktivitetet te “Vila 31 x Art Explora”

Nëntori është një nga muajt më dinamikë lidhur me aktivitetet kulturore në Shqipëri, mbi të gjitha në kryqytet. Nga data 21–23 nëntor si dhe 28 nëntor – 1 dhjetor 2025, Tirana kthehet në një qendër të gjallë të artit bashkëkohor me “Studiot e Hapura” pranë “Vilës 31 x Art Explora”, një nismë që u jep artdashësve e vizitorëve mundësinë të hyjnë në hapësirat intime të krijimit artistik në një nga objektet më të përfolura të historisë shqiptare, vilën e ish-diktatorit.

Artistët rezidentë hapin dyert e studiove të tyre, duke ofruar një qasje të rrallë në proceset, “eksperimentet” dhe bisedat që qëndrojnë pas veprave që shihen zakonisht vetëm në galeri duke e vendosur dialogun artistik në qendër të aktiviteteve kulturore si: takime, vizita, performanca dhe prezantime.

“Studiot e hapura” & “Festivali i Performancës”

“Studiot e hapura III” është një nga praktikat e ndjekura lidhur me punën e artistëve rezidentë në rezidencën artistike pranë “Vila 31 x Art Explora”. Artistët rezidentë që do të hapin dyert e studiove të tyre, do të jenë: Damir Avdagic, Anna Ehrenstein, Olson Lamaj, Pejvak-Felix Kalmenson & Rouzbeh Akhbari, Wandrille Potez, Adriana Ramic, Stephanie Rizaj, Zhiqian Wang. 10 artistët janë përzgjedhur pas aplikimit të tyre, ku do të tregojnë punët që kanë bërë gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri.

Aktivitetet do të jenë kryesisht takime, biseda, punëtori, filma, momente muzikore, ku do të ketë dhe një fokus mbi punën e artistëve shqiptarë si Ali Oseku, apo puna e studiueses Falma Fshazi e Olsi Lelaj, duke treguar rëndësinë e ndërlidhjes së pashmangshme të artit kombëtar me atë ndërkombëtar.

Paralelisht me studiot e hapura, zhvillohet “Festivali i Performancës”, një laborator shumëdisiplinor ku artistë vendas dhe ndërkombëtarë prezantojnë forma të reja të interpretimit, trupit, narrativës dhe ndërveprimit me publikun. Pritet të ketë ndërhyrje artistike në kuadër të “Tirana Art Weekend”, prani në “Panairin e Pavarur të Librit”, punëtori dhe shfaqje filmash së bashku me “Albanian Cinematheque”.

Ky diversitet krijon një panoramë të gjallë të praktikave performative, duke thyer kufijtë mes artit vizual, lëvizjes, filmit dhe narrativës personale.

Një program me partneritete ndërkombëtare

Aktivitetet e sipërpërmendura realizohen në bashkëpunim me institucione prestigjioze evropiane, rajonale dhe vendase:

  • Paris Cergy National Graduate School of Art (ENSAPC) nga Franca,
  • Museum of Contemporary Art Skopje (MOCA) nga Maqedonia e Veriut,
  • Oral History Kosovo (OHK) nga Kosova,
  • Instituti i Antropologjisë.
  • Galeria Kombëtare e Arteve.

Programi mbledh së bashku artistë nga vende të ndryshme si Bosnja dhe Hercegovina, Norvegjia, Gjermania, Shqipëria, Kanadaja, Irani, SHBA, Austria, Kina, duke e vendosur Tiranën në hartën e bashkëpunimeve kulturore ndërkombëtare.

Secili prej tyre sjell perspektiva të veçanta mbi identitetin, migrimin, arkivat personale, memorien kolektive, teknologjinë dhe performancën.

Arti si hapësirë dialogu dhe reflektimi

“Studiot e Hapura III” dhe Festivali i Performancës nuk janë thjesht evente artistike. Ato janë një ftesë për publikun që të hyjë në proceset krijuese, të njohë artistët dhe të përjetojë artin jo vetëm si vepër, por si ide, kërkim, bashkëpunim dhe transformim.

Në një kohë kur arti shërben si mjet kritik, si reflektim shoqëror dhe si hapësirë e lirë komunikimi, këto aktivitete e thellojnë rolin e Tiranës si një qendër të rëndësishme e artit bashkëkohor në rajon.

Programi i plotë gjendet këtu.

Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për publikun.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.