Teatri “Vendi më i humbur në Shqipëri” premierë në Durrës

“Vendi më i humbur në Shqipëri” vjen si një komedi premierë këtë sezon veror në Durrës. Vepra nga dramaturgu Jean Pierre Martinez dhe me regji nga Andia Xhunga do të shfaqet në arenën antike të Amfiteatrit të Durrësit. Komedia premierë do të sjellë në role një kast aktorësh të njohur në jetën artistike që kanë punuar nën drejtimin e regjisores Andia Xhunga, e cila kë një aktivitet të vlerësuar me teatrin dhe në vijim të punës së saj është këtë herë edhe vepra e dramaturgut Jean Pierre Martinez. Premiera do të jetë për publikun te Amfiteatri i Durrësit, ndërsa teatri “Aleksandër Moisiu” në materialet rreth kësaj vepre që është përkthyer nga Anxhela Çikopano bën me dije se ajo do të jetë për publikun në datat 15, 16, 17 dhe 21, 22 dhe 23 korrik në orën 21:00 të mbrëmjes. Një fshat i harruar rrezikon të fshihet nga harta! Banorët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që fshati të jetojë, por ngjarjet marrin një rrjedhë të papritur dhe të pazakontë, kur në fshat vjen një gazetare e famshme.

A do munden dot banorët, ta shndërrojnë vendin më të humbur të Shqipërisë, në atraksionin turistik më të vizituar? Rolet e komedisë do të luhen nga aktorët Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Alex Seitaj, Ervin Doko, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Amos Zaharia, Xheini Fama dhe Jaho Guma. Skenografe e kostumografe Alketa Tragaj dhe muzika mban emrin e kompozitorit Endri Sina. Premiera që do të jetë së shpejti në arenën antike të Amfiteatrit të Durrësit është në vijim dhe të tjera aktiviteteve artistike dhe kulturore që janë zhvilluar aty dhe janë mirëpritur nga publiku artdashës./sot.com.al

Kur? 15-17 korrik 2025, 21-23 korrik 2025, ora 21:00

Ku? Amfiteatri Antik, Durrës

Një shfaqje për të mos u humbur!

Almanart-e-Book-Summer-Festivals
Almanart