Tirana Art Weekend 2025, edicioni i dytë – Njihuni me programin

tirana art weekend 2025

Sugjerimet e “Almanart”

Pak ditë na ndajnë nga hapja e Tirana Art Weekend 2025 (TAWE), edicioni i dytë në kryeqytet. Nga 27 deri më 30 nëntor, kryeqyteti do të mirëpresë një program të gjerë ekspozitash, prezantimesh dhe aktivitetesh që sjellin së bashku zërat më përfaqësues të skenës bashkëkohore shqiptare dhe rajonale.

Këtë vit, TAWE përfshin 33 ekspozita dhe evente të shpërndara në hapësira të ndryshme të Tiranës, duke krijuar një itinerar artistik që pasqyron shumëllojshmërinë, energjinë dhe zhvillimin e skenës sonë të artit vizual. Për herë të parë, edicioni bashkon edhe institucione dhe artistë të rëndësishëm nga Kosova, duke zgjeruar dimensionin bashkëpunues të platformës.

E ndërtuar mbi traditën e nisur në vitin 2024, Tirana Art Weekend 2025 synon të forcojë lidhjet mes aktorëve artistikë dhe të mbështesë prodhimin cilësor vendas. Fryma e edicionit lidhet me thënien e Gertrude Stein, “përsëritja nuk është përsëritje, është këmbëngulje”, që shërben si metaforë për përpjekjen e vazhdueshme të komunitetit artistik për të avancuar dhe për të artikuluar një narrativë të vetën.

Hapësirat dhe programi

Veprimtaritë qendrore të këtij edicioni do të zhvillohen në selinë e Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, një vilë e restauruar e shekullit XX. Kjo hapësirë do të strehojë nisma që operojnë pa një adresë të përhershme ose jashtë Tiranës, ndërsa hapjet e tjera të ekspozitave do të shtrihet në pika të ndryshme të qytetit gjatë fundjavës.

Në program marrin pjesë institucione, hapësira të pavarura dhe kolektive që kanë kontribuar në formësimin e identitetit të artit bashkëkohor shqiptar, përfshirë: Albanian Cinematheque, Art House, Art Kontakt, Bazament, Berk, Destil Creative Hub, Ekrani i Artit, GADK, Galeria e Bregdetit, Minus Art Space, Off Season, Pararoja, Prag Space Collective, s t r a y stars, Satellite Zone, Tek Bunkeri, Tirana Art Lab, si dhe të tjera. Programi satelit do të shtrihet në Agimi Art Center, Galerinë e Artit Tiranë, Galerinë FAB, Khrais – Tërshana, Space05, Vila 31, Art Explora dhe 18 Stories.

Artistët pjesëmarrës

TAWE 2025 sjell një listë të gjerë artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, ku përfshihen emra të njohur dhe zëra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova. Ndër ta janë: Silva Agostini, Jasmina Al-Qaisi, István Antal, Djellza Azemi, Sonja Azizaj, Bora Baboçi, Enric Fort Ballester, Laura Bezati, Nikolin Bujari, Kessy Buqeza, Nora Bzheta, Gentian Doda | was bleibt kollektiv, Anna Ehrenstein, Lennart Forster, Blerta Haziraj, Renis Hyka, Jon Jost, Anastas & Ledia & Mariana Kostandini, Jona Krasniqi, Lori Lako, Olsi Lelaj, Adriaan Lokman, Xhulian Millaj, Anita Muçolli, Fatmir Mustafa-Karllo, Silvi Naçi, Ilva Nelaj, Erald Nezaj, Antonio Ottomanelli, Adrian Paci, Anri Sala, Irgin Sena, Renid Tosuni, Ilir Tsouko, Gerta Xhaferaj, Mauro Zaçe, Driant Zeneli, Zgjim Zyba, dhe shumë të tjerë.

Një platformë e re kuratoriale e ideuar nga kuratori Arnold Braho sjell një qasje të re kritike dhe vizuale për edicionin e sivjetëm.

Risia: AVAN x GKA – Komisionim Artisti

Këtë vit ka nisur një bashkëpunim i ri vjetor mes AVAN dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, i titulluar AVAN x GKA: Komisionim Artisti. Çdo vit do të komisionohet një vepër e re nga një artist shqiptar, e cila i shtohet koleksionit të GKA-së. Për edicionin 2025 prezantohet vepra e re e Gentian Shkurtit.

Programi i plotë gjendet këtu!

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.