Artisti Adrian Paci mbajti ligjëratën “Lectio Magistralis-Trajektore të ndërthuruna” në Akademinë e Shkencave. Kjo veprimtari u zhvillua me moderimin e studiueses së artit pamor, Suzana Varvarica, anëtarë e KATK. Studiuesja Varvarica tha se krijimtaria e Adrian Pacit është e ekspozuar thuajse në të gjitha institucionet më të rëndësishëm të ekspozimit muzeor dhe galerist të kryeqendrave të artit të botës si: Nju Jork, Montreal, Paris, Romë, Jeruzalem, Telaviv, Berlin, Stamboll, Londër, Madrid, Zyrih, Lubjana, Taivan, Sidnej, Venecia, Selanik.
Varvarica tha se krijimtaria e tij është analizuar nga kuratorë, estetë, studiues dhe historianë bashkëkohorë të shquar dhe aktiv të arteve bashkëkohore si: Kristina Veig (Christina Végh), Antonio Perazzi, Linda Walther, Brigitte Kolle, Kobi Ben-Meir, Yotam Yakir, Uatam Uakir, Felice Cimatti, Kathrin Rhomberg, Gabi Scardi, Edi Muka, Mirjam Varadinis, etj. “Kam mendimin se po ndodh një lidhje organike, që në Akademinë e Shkencave të vijnë e të radhiten artistët shqiptarë më në zë të shek. XXI, si trashëgues të artit më të mirë shqiptar zhvilluar tashmë në disa periudha. Dhe, Adrian Paci, në mjedisin e sotëm vjen si një artist shumëdimensional që do të lektorojë idetë e veta rreth suksesit të rrugëtimit ndërkombëtar të artit të vet”, tha Varvarica. Ligjërata “Trajektore të ndërthuruna” trajton temën nga Realizmi Socialist Shqiptar tek raporti me avangardat e shekullit XX e deri tek takimi me artin bashkëkohor në shumësinë e shprehjeve të veta. Në këtë ligjëratë u trajtua zhvillimi i punës dhe mendimit artistik i Adrian Pacit si një produkt i këtyre rrugëtimeve të ndërthurura në dialog me disa nga eksperiencat e artit shqiptar e atij ndërkombëtar. Në këtë bisedë u prezantuan refleksionet që kanë shoqëruar punën e tij, duke marrë shkas nga takimet me veprat dhe mendimin e artisteve apo qasjeve artistike, si në skenën shqiptare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Biseda në Akademinë e Shkencave u shoqërua me imazhe e video. Në ditët e sotme Adrian Paci jeton dhe punon në Milano dhe është lektor i artit pranë NABA, Akademi e Arteve të Bukura private në Milano./sot/