Antropologu Ger Duijzings në seminarin “Përthyerje antropologjike” te IAKSA

Ora: 11:00-12:45
Data: E premte, 24.02.2023
Vendi: Salla “Rrok Zojzi” – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, Tiranë

Antropologu Ger Duijzings (Univeristeti i Regensburgut, Gjermani) hap siparin e aktiviteteve të Seminarit Permanent “Përthyerje antropologjike” për vitin 2023.
Dy çështje të rëndësishme, që lidhen sa me të ardhmen e studimeve në fushën e humaniteteve, shkencave sociale, albanologjisë në Shqipëri dhe Europën Juglindore në përgjithësi, aq dhe me tematika të reja studimore, janë në fokus të këtij takimi. Projekti madhor i Universitetit të Regensburgut “A small but fertile field: strengthening Southeast European Studies in Regensburg” (2022-2029)”, ku studimeve shqiptare i jepet një theks i veçantë, do të prezantohet në të gjitha përmasat e tij në pjesën e parë të takimit. Ndërsa puna më e re kërkimore e Duijzings, në lidhje me rrugët postsocialiste, do të paraqitet nëpërmjet reflektimeve analitike bazuar në të dhënat etnografike.
“A small but fertile field: strengthening Southeast European Studies in Regensburg” (2022-2029)” mbështetet nga fondacioni prestigjioz Volkswagen Foundation, për një periudhë shtatëvjeçare. Ky projekt aspiron të ndërtojnë një rrjet të gjerë bashkëpunimesh me institucione akademike, me qëllim rritjen dhe promovimin e dijes së shkencave sociale dhe humane në Europën Juglindore. Si drejtues i këtij projekti madhor, Prof. Ger Duijzings do të prezantojë qëllimet kryesore të këtij projekti, në të cilin Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit (IAKSA) është ndër partnerët kryesorë.
Për më tepër mund të shihni këtu: https://seeffield.app.uni-regensburg.de/.

Në pjesën e dytë të seminarit, ora: 12:00-12:45, prezantohet libri “Sikur makinat të kishin këmbë! Rrugët postsocialiste mes qarkullimit dhe bashkëjetesës” [‘If cars could walk: Postsocialist streets in transformation (forthcoming, 2023].
Në fjalën e tij, Ger Duijzings do të prezantojë idetë kryesore të vëllimit që ka edituar bashkë me gjeografin Tauri Tuvikene (Universiteti i Talinit – Estoni) mbi jetën e rrugës në qytetet postsocialiste. Pikënisja e argumenteve është shpërthimi i lëvizjes së njerëzve me makina private prej 1990-ës e deri më sot, në qytete si Bukureshti dhe Prishtina, ku rastet e mirëdokumentuara na tregojnë për tensionin mes “lëvizshmërisë” dhe “shoqërizimit” në postsocializëm. Argumentet e paraqitura na japin mundësinë të reflektojmë mbi domethëniet që “pushtimi i makinave” ka pasur për indin urban të qyteteve; mbi tensionin mes kërkesës së vazhdueshme për mjete të motorizuara dhe nevojës për hapësira të ngeshme për shoqërizimin dhe bashkëjetesën e këmbësorëve. Ndërsa ndërton lidhjen historike mes fenomeneve aktuale dhe të kaluarës socialiste, e ku nënvizohen dallimet mes të ashtuquajturit “perëndim” dhe influencës së tij në strukturimin e lëvizjes, prezantimi ndalon dhe reflekton në lidhje me rëndësinë e përkufizimit e këtyre rrugëve si “postsocialiste”.
Ger Duijzings është profesor i Antropologjisë Sociale (me fokus Europën Juglindore dhe Lindore) në Universitetin e Regensburgut (Gjermani). Deri në vitin 2014, Duijzings ka dhënë mësim lëndën Antropologji e Europës Lindore në Shkollën e Studimeve Sllave dhe Europës Lindore në UCL-Londër, Angli. Pas kërkimeve të thelluara mbi konfliktet në ish-Jugosllavi, vëmendja e tij akademike kaloi në leximin antropologjik të shndërrimeve urbane në qytetin postsocialist. Dujzings ka edituar një sërë botimesh, nga të cilat veçojmë: “Global villages: rural and urban transformations in contemporary Bulgaria” (2013); “Engaged urbanism: Cities and methodologies” (bashkë me Ben Campkin, 2016); “Working at night: the temporal organisation of labour across political and economic regimes” (bashkë me Lucie Dušková, 2022).

Date

24/02/2023
Aktivitete të Përfunduara

Location

IAKSA

QR Code

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.