Artistët e Ndaluar: Ali Oseku te Muzeu “Shtëpia me Gjethe” Tiranë

𝐒𝐞𝐫𝐢𝐚 “𝐀𝐧𝐚 𝐭𝐣𝐞𝐭ë𝐫 𝐞 𝐑𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭 𝐒𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐬𝐭: 𝐀𝐫𝐭𝐢𝐬𝐭ë𝐭 𝐞 𝐍𝐝𝐚𝐥𝐮𝐚𝐫” 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐧 𝐦𝐞 𝐀𝐥𝐢 𝐎𝐬𝐞𝐤𝐮𝐧 (1944–2024), një nga figurat më të veçanta të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shek. XX dhe fillimit të shek. XXI.

Më 1 shtator, ora 20:00, Aisel Oseku, vajza e artistit, dhe Genti Gjikola, studiues dhe kurator pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, do të tregojnë jetën dhe veprën e tij përmes kujtesës familjare dhe një pyetjeje thelbësore: çfarë kishte në artin e Osekut që e bëri të papranueshëm për sistemin?

I formuar në Institutin e Lartë të Arteve dhe skenograf i Teatrit të Operas dhe Baletit më 1970–1973, Oseku i përkiste brezit që kërkoi të zgjeronte kufijtë e gjuhës figurative shqiptare. Në pikturën dhe skenografinë e tij, ngjyra, forma dhe ndërtimi dekorativ fitonin një autonomi që nuk përputhej me kërkesën e Realizmit Socialist për një figuracion ideologjikisht të lexueshëm. Gjatë viteve 1969–1973 realizoi rreth 300 tablo.

Pas Plenumit IV të vitit 1973, ndryshimi estetik u lexua edhe si devijim ideologjik: nëse i pari të bënte të paekspozueshëm, kombinimi i të dyjave të bënte edhe të burgosshëm. Oseku u dërgua për “riedukim” dhe më 1975 u burgos për “tendenca moderniste”. Para arrestimit dogji pothuajse gjithë krijimtarinë e deriatëhershme.

Deri më 1991 iu mohua e drejta e ekspozimit. Pas rënies së regjimit, Oseku zhvilloi edhe më tej autonominë piktorike që dikur e kishte bërë armik: subjekti dhe objekti reduktohen, ndërsa ngjyra, drita dhe hapësira bëhen vetë subjekti i pikturës.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të “Jehonat e Kujtesës”, organizuar nga “Shtëpia me Gjethe”, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve.

Date

01/09/2026

Location

Muzeu "Shtepia me gjethe"

QR Code

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.