“Creative Mornings” te “COD Kryeministri”
Tema globale e CreativeMornings për muajin shtator është SIMPLICITY, rreth së cilës do të flitet në 229 qytetet në botë, që aplikojnë këtë projekt prej vitit 2008.
Në Tiranë kemi ftuar arkitekten Denada Veizaj, Prof. Asoc. Dr., Drejtuese e Dep. të Arkitekturës, e cila do të ndajë me ne eksperiencën e saj kreative dhe profesionale rreth kësaj teme.
“Në këtë diskutim, thjeshtësia lexohet së pari, si një gjendje e cila vendoset mes tri entitetesh; gjenerues (burim)-mesazh(përmbajtje)-marrës. E parë në këtë këndvështrim, thjeshtësia qaset si lehtësi e aktit të komunikimit mes palëve të mësipërme. Gjithashtu në këtë ligjëratë eksplorohet pranëvendosja e thjeshtësisë me kompleksen; një dikotomi përmes së cilës thjeshtësia shihet si stadi me i evoluar i kësaj të fundit.
Nën optikën e një akti komunikimi mes palësh, në fushën e mjedisit të ndërtuar (arkitekturë) merret në diskutim marrëdhënia vepër – vëzhgues. Përmes një narrative panoramike, marrëdhënia në fjalë kuptohet dhe zhvillohet duke konsideruar faktorin kohë dhe atë territorial.
Në aspektin e proceseve krijuese eksplorohet binomi “ thjeshtësi-qartësi”, si dhe disa përthyerje të këtij të fundit të cilat tentojnë të tejkalojnë diskutime dhe territore thjesht estetike.”
Denada Veizaj përfundon studimet Master i Shkencave pranë Universitetit Politeknik Tiranë në degën Arkitekturë në vitin 2007. Në vitin 2015 fiton gradën Doktor i Shkencave me një disertacion të fokusuar mbi aparatet matematikore dhe mjetet e avancuara analitike për studimin e indeve urbane.
Në vitet 2013 dhe 2016 kryen studime pas-universitare dhe pas-doktorale pranë Erasmus University, fokusuar mbi teori të avancuara të urbanizmit dhe menaxhimit urban.
Kontribuon pranë Departamentit të Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës që prej vitit 2008.
Eventi do të mbahet të premten, datë 22 shtator, ora 10:00, te COD, Tiranë.