
Dita Ndërkombëtare e Muzeve – Muzeu në shesh
Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeve!
Muzeu Historik Kombëtar uron Gëzuar këtë ditë të veçantë të gjithë profesionistëve të muzeve, studiuesve, vizitorëve dhe dashamirësve të trashëgimisë kulturore, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Çdo vit, Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ICOM, (organizata më e rëndësishme ndërkombëtare në fushën e muzeologjisë), përzgjedh një temë për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve me qëllim nxitjen e reflektimit mbi sfidat dhe zhvillimet bashkëkohore në botën muzeale.
Tema e vitit 2025 është “E ardhmja e muzeve në komunitete që ndryshojnë shpejt”, një ftesë për të menduar mbi mënyrën se si muzetë mund të përshtaten dhe të luajnë një rol aktiv në jetën e komuniteteve përballë ndryshimeve të vazhdueshme sociale, ekonomike dhe teknologjike.
Në këtë kuadër, ditën e hënë më 19 maj, Muzeu Historik Kombëtar organizon një aktivitet të hapur për publikun me moton “Muzeu në Shesh”. Muzeu del përtej mureve të tij për të takuar qytetarët në hapësirën publike jo vetëm sepse godina ndodhet aktualisht në proces rindërtimi, por sepse besojmë se muzeu duhet të jetë gjithmonë pranë komunitetit.
Aktiviteti përfshin:
• Për fëmijët: lojëra dhe aktivitete praktike ku historia mësohet përmes përvojës.
• Për të rriturit: ekspozita fotografike “Thesare nga Muzeu”, me imazhe të objekteve të çmuara nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar.
Ju ftojmë të vizitoni ekspozitën ditën e hënë më 19 maj nga ora 10:00 deri në orën 13:00 në hapësirën mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Hotel Tirana International.
Ejani në shesh dhe bëhuni pjesë e një përvoje ndryshe në zemër të qytetit.
