Koncerti Ninullat e Natyrës nga "Çel Ensamble" - Biletat në shitje KËTU!

Ekspozita “A je ILIR më 9 maj” nga Ilir Kaso

“A je ILIR më 9 Maj?” është një projekt performativ që nis nga një fakt konkret: ditëlindja e artistit Ilir Kaso përkon me 9 Majin, Ditën e Evropës. Një datë personale dhe një datë institucionale bashkëjetojnë, duke krijuar një tension mes përvojës intime dhe simbolikës kolektive.
Në vend të një kremtimi formal të 76-vjetorit të Deklaratës së Schuman-it, projekti propozon që Delegacioni i Bashkimit Evropian të organizojë simbolikisht ditëlindjen e Ilirit, si një gjest që nuk synon të prodhojë imazhe triumfi, por zhvendos vëmendjen nga institucioni tek individi dhe riafirmon një parim themelor të projektit evropian: një komunitet ekziston vetëm aty ku individi ruhet në dimensionin e tij njerëzor dhe të prekshëm, dhe çdo komunitet që harron individin humbet vetë kuptimin e lirisë.
Projekti realizohet si një ngjarje performative e fokusuar mbi një instalacion që riaktivizon një vepër të Ilir Kasos, “Reality Dreamers” (2012). Dyzet e katër figurina njerëzore prej parafine, një për çdo vit të jetës së artistit, vendosen së bashku në një strukturë të vetme, duke funksionuar si qirinjtë e një torte ditëlindjeje dhe duke e lidhur drejtpërdrejt veprën me trupin, kohën dhe jetën e artistit. Pasi ndizen, figurinat fillojnë të shkrihen gradualisht, duke rrezikuar të humbasin tiparet e tyre. Nëse procesi i shkrirjes do të vazhdojë apo do të ndërpritet, lihet në dorën e publikut të pranishëm. Ky gjest i përbashkët e zhvendos përgjegjësinë tek komuniteti.
Fillimisht i menduar për Europe Week 2026, pas mospranimit në programin zyrtar, projekti realizohet jashtë tij, në hapësirat e Trekëndorit, një qendër kreative ku Iliri edukon brezin më të ri të shoqërisë sonë. Mospranimi i këtij projekti nuk është thjesht një fakt administrativ, por e bën edhe më të nevojshme pyetjen që projekti ngre: a jemi vërtet të lirë brenda një komuniteti?

9 maj 2026
Ora 19:00
Qendra Trekëndor
Rr. “Ndre Mjeda”, Pallati Jeshil, ish-Parku i Autobuzave, Tiranë

Date

09/05/2026
Kategorite

Location

Qendra "Trekëndor" Tiranë

QR Code

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.