Ekspozita e Bedri Pejanit te “Galeria e Bregdetit” Radhime
Në datën 11 gusht 2023, ora 19:30, Galeria e Bregdetit prezanton ekspozitën solo të artistit Bedri Pejani me një seri të re pikturash të ekspozuara për herë të parë për publikun.
“Motërza Hënë” eksploron dimensionin e nënvetëdijshëm të shpirtit. Në kërkim të prejardhjes së fjalës “lunatik”, zbulohet pa mundim “luna” (hëna në Latinisht) dhe më tej besimi se ajo shkakton lloje specifike çmendurie; ose që mund të nxjerrë në pah aspekte të çuditshme të personalitetit. A nuk janë këto nocione që ekzistojnë prej mijëra vitesh, duke filluar nga lashtësia e Aristotelit dhe Plini Plakut, të cilët ishin të bindur se drita e hënës ndikonte në shëndetin shpirtëror? Telajot e piktorit Pejani krijojnë një rrëfim metafizik dhe metaforik të ndikimit që nata dhe hëna kanë mbi ne.
Me ekspozitën e Bedri Pejanit, Galeria e Bregdetit vazhdon zbulimin dhe mbështetjen e artistëve vendas në një kontekst unik. Piktori rikthehet në hapësirat e ekspozimit me një seri prej 21 pikturash të përmasave imponuese, të cilat zbulojnë të nënvetëdijshmen dhe metafiziken në një labirint plot kureshtje.