Ekspozita e skulptorit Kreshnik Xhiku “Opus continuum” te Galeria FAB
Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë t’ju ftojë në inagurimin e ekspozitës së skulptorit të mirënjohur Kreshnik XHIKU “Opus continuum”
Dt. 05 prill / ora / 19.00
Kuruar nga Ardian Kapo, Ermir Hoxha
Kohëzgjatja. 05 / 18 prill 2023
Galeria FAB
Fakulteti i Arteve të Bukura
Universiteti i Arteve
…
Opus continuum / nga Ermir Hoxha
(Pjese nga teksti kuratorial)
Skulptura zë një hapësirë reale, ashtu si dhe ne. Atë e gjejmë në galeri arti, në parqe e në sheshe. Ashtu si ne ajo kërkon vëmendje, shpesh në formë bustesh, a monumentesh e prej dekadave të fundit edhe në formë instalimesh.
E ashtu si ne, ajo kërkon kohë të blatohet. Deri këtu gjithçka duket e thjeshtë. Por ajo që shpesh nuk dihet, është procesi me të cilin ajo ndërtohet; ajo metamorfoza e formës, që vërtitet prej idesë, tek vendosja në sheshe.
Gjithçka nis me ngritjen e armaturës. Një strukturë e hekurt, herë e thjeshtë e herë tejet e ndërlikuar, ku kapërthehen herë dhjetëra e herë qindra kryqe të drunjtë e fije metalike. E gjithë kjo pasi aty do të vërtitet balta … ajo materia që do t’i japë formë skulpturës. Aty, metamorfoza e formës do të shkojë drejt poezisë së ngjizjes.
Realizimi i një skulpture është një formë tjetër arti. Është një tjetër mënyrë tregimi nëpërmjet formës.
Nga ana tjetër ajo është mënyra si ti e kupton botën që të rrethon, por dhe si ajo të ka dhënë formë ty. Si përfundim ajo është forma që ke përkthyer në kryeveprën tënde.
Opus Continuum është ekspozita e rradhës e Kreshnik Xhikut. Ajo është vazhdimi i veprës së tij… është dhe aventura e tij e më e fundit vizive e vazhdimi i dialogut mes formës dhe subjektit.
E vendosur në galerinë FAB, ashtu si dhe herën e fundit me njeriun “Vitruvian” (2018), ajo servir prurjet e viteve të fundit të këtij skulptori. Por në të nuk janë më proporcionet ideale të njeriut në harmoni mes vetes dhe universit, porse tri figura femërore emblematike. Prezantuar në format të madh, ato evokojnë tri “kore” të shënjuara nga objekte etnografike. Të përzgjedhura me kujdes nga habitati i tyre, ato duken herë si monumente të gjalla arkeologjike, e herë si copëza të qytetit tradicional të origjinës…