Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” te Muzeu i Fotografisë “Marubi” Shkodër
𝐆𝐣𝐨𝐧 𝐌𝐢𝐥𝐢: 𝐑𝐞𝐭𝐫𝐨𝐬𝐩𝐞𝐤𝐭𝐢𝐯𝐞̈
Kuruar nga Howard Greenberg.
📍Hapja e ekspozitës
🗓E premte, 12.06.2026, ora 20:00
🏛Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” shënon një moment të rëndësishëm për historinë e fotografisë në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX.
I lindur në Korçë në vitin 1904, Mili emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nuk nisi në akademitë e artit, por në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj çasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku realizoi hulumtime të avancuara mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike.
Për publikun shqiptar, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar. Edhe pse Mili ndërtoi karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pjesë e historisë së fotografisë amerikane, origjina e tij mbetet thelbësore në narrativën e tij personale. Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në memorien artistike shqiptare.