
Ekspozita “Paradis Artificiel” – “Parajsa Artificiale” te Galeria e Artit Tiranë
Galeria e Artit Tiranë ka kënaqësinë t’ju ftojë në inagurimin e ekspozitës
🎨 “Paradis Artificiel” – “Parajsa Artificiale”
të çiftit të artistëve Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari (The Two Gullivers).
Një seri vizatimesh me lapsa me ngjyra në kuadrin e një projekti më të gjërë të quajtur “Picturing Performance”, i cili konsiston në eksplorimin e imazheve dhe gjurmëve materiale të performancave që ata kanë realizuar që nga fundi i viteve 90’ përmes gjuhës së pikturës dhe vizatimit.
Kujtesa, imazhi, dhe gjurma vizuale e performancës riaktivizohen përsëri përmes paraqitjes së veprimit dhe aksionit performativ, duke përdorur në pjesën më të madhe të rasteve lule artificiale që nga trajtimi plastik duken sikur janë natyrale, të freskëta.
Më pas koncepti i The Two Gullivers është zgjeruar edhe me vizatime të luleve natyrale të cilat sipas tyre, gjithashtu na transportojnë drejt një parajse të pakapshme dhe ARTIFICIALE.
THE TWO GULLIVERS, Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari, punojnë dhe krijojnë së bashku si një duo artistike që nga viti 1998 nën pseudonimin artistik The Two Gullivers dhe janë të përkushtuar ndaj artit të performancës në një kontekst ndërdisiplinor.
Koncepti i GULLIVERIT, i frymëzuar nga libri i Jonathan Swift’s, përben idenë e udhëtimit, të emigracionit dhe zhvendosjes si pjesë integrale të veprës që ata krijojnë.
Qasja e tyre performative trajton kërkimin identitar dhe raportin me tjetrin. Vepra e tyre zhvillohet në dialog, lind nga një identitet i shumëfishtë dhe është rezultat negociatash të vazhdueshme. Ata kanë realizuar shpesh ekspozita dhe evenimente ku instalacionet marrin jetë nga prania e tyre, performanca, dhe nga ndërveprimi me publikun.
Vepra e tyre është një platformë shkëmbimi dhe dialogu të shumëfishtë.
Jeni të mirëpritur!
🗓️ E Martë, 20 Maj
🕐 Ora 19:00
📍 Galeria e Artit Tiranë, Rruga e Kavajës
