Forumi Kombëtar me mësuesit “Edukimi si Urë e Përcjellëse e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale tek Brezat e Rinj”
Forumi Kombëtar “Edukimi si Urë e Përcjellëse e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale tek Brezat e Rinj” organizohet në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”, i zbatuar nga DMO Albania në partneritet me EU Policy Hub, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Forumi synon të bashkojë mësues të historisë, ekspertë të trashëgimisë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm për të reflektuar mbi rolin e edukimit në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipëri. Aktiviteti do të shërbejë si një platformë për prezantimin e 40 historive të trashëgimisë materiale dhe jomateriale, të zhvilluara në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”, duke pasuruar materialet jashtëkurrikulare për mësuesit dhe nxënësit përmes legjendave, istories dhe historive të përcjella brez pas brezi.
Histori të tilla si Teuta, Mbretëresha e Deteve; Mbreti Gent dhe Lulja e Mrekullisë; Historia e Kullës së Ngujimit; Miti I Kadmit; Dragoi dhe Kulshedra; Baba Tomorri; Dreri I Shenjtë; Gryka e Lotëve; Kodikët e Beratit; dhe Gjiri I Gramës, përfaqësojnë elemente të çmuara të trashëgimisë shqiptare, të cilat duhet t’u përcillen brezave të rinj, veçanërisht përmes klubeve të trashëgimisë dhe aktiviteteve artistike jashtëshkollore.
Diskutimet do të fokusohen në rëndësinë e integrimit të trashëgimisë kulturore jomateriale në istorie arsimor, duke e trajtuar atë si një mjet të fuqishëm për forcimin e identitetit kulturor, nxitjen e krijimtarisë dhe rritjen e angazhimit të brezave të rinj.
Pjesëmarrësit do të eksplorojnë gjithashtu mënyra konkrete për integrimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në kurrikulë, rigjallërimin e praktikave të tilla si klubet e artizanatit në shkolla dhe përdorimin e mjeteve digjitale për ta bërë mësimdhënien më ndërvepruese dhe gjithëpërfshirëse. Mësuesit do të pajisen gjithashtu me materialet e projektit, përfshirë publikimin “Heritage is Our Brand”, materialet e platformës albaniaheritage.com, si dhe produktet artistike të krijuara deri më tani, të cilat mund të përdoren me nxënësit si burime frymëzimi.
Forumi do të informojë gjithashtu mësuesit mbi nisjen e një konkursi kombëtar për nxënësit e shkollave nga e gjithë Shqipëria, në të cilin fëmijët do të prezantojnë punime krijuese të frymëzuara nga historitë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Aktiviteti do të bëjë bashkë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit; Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit; institucioneve arsimore dhe kulturore; universiteteve; organizatave të shoqërisë civile; ekspertë të trashëgimisë; si dhe mësues të Historisë dhe letërsisë nga shkolla të ndryshme të vendit, duke kontribuar në zhvillimin e një qasjeje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ndaj edukimit mbi trashëgiminë kulturore jomateriale