Koncert “Tukiçi i Madh” me Gëzim Myshketën në Shkodër
SHKODËR LOCE, RIKTHEHEM PAS 32 VITESH! ♥️
Ka qytete që nuk i harron kurrë, qytete që mbartin historinë, shpirtin dhe identitetin e një kombi. Shkodra është padyshim një prej tyre! Një djep i kulturës shqiptare, një qytet që e kam dashur dhe e mbaj fort në zemër.
Herën e fundit që kam kënduar në Shkodër ka qenë në vitin 1994, në Festivalin e Këngës për Fëmijë, me një krijim që, me sa kujtoj, ishte ndër të fundit të kompozitorit të madh Pjetër Gaci.
Pas 32 vitesh, fati më sjell përsëri në këtë qytet këtë herë për një rast sa të veçantë, aq edhe emocionues.
Më 12 nëntor 2026, në Teatrin Migjeni, do të kem privilegjin të jem protagonist i një koncerti në formën e një recitali vokal-simfonik, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së tenorit IBRAHIM TUKIÇI, një prej personaliteteve më të ndritura të historisë së artit lirik shqiptar.
Një mbrëmje muzikore që do të jetë mbi të gjitha një homazh, një shenjë mirënjohjeje dhe respekti për një artist që me zërin dhe artin e tij la gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare.
Falënderoj nga zemra Elda Laron për ftesën e vyer dhe për mundësinë që të jem pjesë e këtij nderimi të merituar.
Mezi pres të ndaj emocionet e këtij recitali me publikun e mrekullueshëm shkodran, në një skenë që mbart kaq shumë histori dhe kujtime të artit tonë.
Të nderosh artistët e mëdhenj të së shkuarës do të thotë të ruash gjallë kujtesën dhe dinjitetin kulturor të një kombi.
Dhe nuk mund të imagjinoj një vend më të bukur se Shkodra për ta bërë këtë!
Shkodër loce, mezi pres me t’pa! ❤️
📍 Teatri Migjeni, Shkodër
📅 12 Nëntor 2026
🕖 Ora 19:00
Gëzim Myshketa