Në datat 5, 6 dhe 7 qershor, Katedralja e Shkodrës do të organizojë edicionin e parë të Panairit të Librit me emërtimin “Libri të ban të lirë”, një nismë që vjen si dëshmi e gjallë e përkushtimit të qytetit ndaj kulturës dhe letërsisë.
Stefan Çapaliku, Dom Vlash Palaj, Gjovalin Çuni dhe Andreas Dushi janë jo vetëm ideatorët por edhe organizatorët e këtij eventi i cili për tre ditë do të mbledhë në oborrin e Katedrales, botues, studiues, shkrimtarë dhe përkthyes nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Me pjesëmarrjen e shtëpive kryesore botuese nga Shqipëria dhe Kosova, përfshirë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ky panair synon të kthehet në një pikëtakim vlerash letrare, ku libri shfaqet si urë komunikimi mes lexuesit dhe autorit.
Programi treditor i panairit “Libri të ban të lirë” përfshin promovime librash, takime me autorë, leksione të hapura dhe lexime artistike nga emra të njohur të letërsisë shqipe, pjesëmarrje të botuesve të rëndësishëm, koncerte, si dhe net letrare në amfiteatrin e hapur pranë Katedrales “Shën Shtjefni” të Shkodrës.