Një shfaqje që ndërthur Kosovën e Afrikën e Jugut
Shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, e cila deri më tani ka marrë kritika të shkëlqyera ndërkombëtare, do të jepet në Teatrin Black Box në Oslo më 12 dhe 13 qershor 2026, nga ora 19:00, si pjesë e festivalit prestigjioz Heddadagene, një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore në Norvegji.
Në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur shqiptarë Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca, Amernis Nokshiqi dhe një ansambël i gjerë artistësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut. Regjinë e shfaqjes e ka bërë Blerta Neziraj, ndërsa tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj.
Shfaqja ka në fokus Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë në vitin 1990, si dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut në vitin 1995.
Ajo që nisi si një nismë e vogël pajtimi në Kosovë u shndërrua shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Në tubime publike, nëna, baballarë dhe anëtarë të familjeve ngjiteshin në skenë para mijëra njerëzve dhe falnin gjakun e të afërmve të tyre. Gjatë këtij procesi u mbajtën dhjetëra tubime pajtimi dhe u falën 1,275 gjaqe dhe ngatërresa. Mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në tubimin përmbyllës të pajtimit në vendin e quajtur Verat e Llukës.
Mediat ndërkombëtare e kanë vlerësuar lart shfaqjen. Deutschlandfunk Kultur nga Gjermania e përshkroi kështu: “Një produksion i rëndësishëm… Energjia dhe humori janë të shkëlqyera… Në ‘Nën hijen e një peme u ula dhe qava’, aktorët nga të dy vendet ndajnë skenën, por nuk ka konsensus se kush ka bërë sakrificat më të mëdha.”
Pas prezantimit në Afrikën e Jugut në prill 2026, shfaqja do të vazhdojë turneun e saj evropian gjatë vitit 2026 dhe do të prezantohet në New York në mars 2027.
Mbi shfaqjen
Prodhuar nga Qendra Multimedia (Prishtinë, Kosovë), Teatri The Market (Johannesburg, Afrika e Jugut), Teatri Municipal São Luiz (Lisbonë, Portugali), Teatro Della Pergola (Firence, Itali), Teatri Dortmund (Dortmund, Gjermani), Black Box teater (Oslo, Norvegji), Mittelfest (Cividale del Friuli – Itali), Théâtre de la Ville (Paris, Francë).
Autor: Jeton Neziraj (Kosovë) | Dramaturg: Greg Homann (Afrika e Jugut) | Regjia: Blerta Neziraj (Kosovë) | Aktorë/e: Gontse Ntshegang (Afrika e Jugut), Ilire Vinca (Kosovë), Kensiwe Tshabalala (Afrika e Jugut), Arben Bajraktaraj (Kosovë/Francë), Les Made (Afrika e Jugut), Bongile Gorata Lecoge-Zulu (Afrika e Jugut)
Kompozitor: Gabriele Marangoni (Itali) | Skenografi: Theun Mosk / Ruimtetijd (Holandë) | Koreograf: Jochen Roller (Gjermani) | Kostumografi: Blagoj Micevski (Maqedonia e Veriut) | Video: Besim Ugzmajli (Kosovë) | Dizajni i ndriçimit: Vincent Longuemare (Itali)
Performuar në anglisht, shqip dhe zulu. Shikoni një TEASER të shkurtër/ Gjeni disa foto të zgjedhura të shfaqjes KËTU.
Turneu Ndërkombëtar në 2026 dhe 2027
2026
*The Market Theatre – Johannesburg (South Africa) – 9 – 26 prill 2026
*Black Box teater / Heddadagene festival – Oslo (Norway) – 12 & 13 qershor
*Mittelfest – Cividale del Friuli (Italy) – 19 korrik
*São Luiz Teatro Municipal – Lisboa (Portugal) – 23 & 24 tetor
Shfaqje të tjera do të shpallen së shpejti.
2027
*La MaMa in New York – prill
*Teatro Della Pergola in Firenze – maj
*Théâtre de la Ville – Paris – 10-12 maj
*Dortmund City Theatre – qershor
Shfaqje të tjera do të shpallen së shpejti.



