Turizmi kulturor, turet tematike dhe kinematografia mund të hapin një kapitull të ri për mënyrën se si zbulohet Shqipëria, duke e kthyer trashëgiminë, historitë dhe krijimtarinë në përvoja turistike gjatë gjithë vitit.
Kur mendojmë për Shqipërinë si destinacion turistik, dy imazhe vijnë menjëherë në mendje, deti dhe mali. Plazhet e jugut, Alpet, fshatrat malorë dhe peizazhet natyrore janë bërë pjesë e identitetit turistik të vendit. Por, a mjaftojnë këto për të treguar gjithçka që Shqipëria ka për t’i ofruar një vizitori?
Përgjigjja është jo. Shqipëria ka edhe një tjetër pasuri që mund të kthehet në arsye për të udhëtuar si: historitë e qyteteve të saj, trashëgiminë kulturore, kinematografinë, artin, muzikën, traditat dhe jetën krijuese të komuniteteve. Sfida është që këto pasuri nga elementë të identitetit kombëtar, të zhvillohen në oferta turistike konkrete, të organizuara dhe të aksesueshme për publikun.
Nga turizmi i destinacioneve te turizmi i përvojave
Një vizitor mund të vijë në Shqipëri për plazhet, por çfarë mund ta motivojë të rikthehet në vjeshtë? Çfarë mund ta bindë të qëndrojë një ditë më shumë në Tiranë, të zbulojë një qytet që nuk e kishte në itinerar apo të udhëtojë drejt një destinacioni jo të lidhet me natyrën patjetër? Një përgjigje mund të jetë turizmi tematik.
Kjo formë turizmi i organizon vizitat rreth një interesi të veçantë. Në vend që të ndjekë vetëm pikat më të njohura të një qyteti, vizitori mund të zgjedhë një tur për arkitekturën, historinë, letërsinë, gastronominë, muzikën apo kinematografinë. Kështu, një shëtitje e zakonshme shndërrohet në një përvojë që ka një temë, një rrëfim dhe një lidhje më të drejtpërdrejtë me vendin.
Kjo qasje mund të ndihmojë në zgjerimin e ofertës turistike përtej sezonit veror, në shpërndarjen e vizitorëve në më shumë qytete dhe në krijimin e mundësive të reja ekonomike për guidat, artistët, studiuesit, sipërmarrjet krijuese dhe bizneset lokale.
Po sikur ta zbulonim Shqipërinë përmes filmave?
Një nga mundësitë më interesante për zhvillimin e turizmit tematik është kinematografia.
Filmat të parë jo thjesht si vepra artistike, ruajnë pamje të qyteteve, ndërtesave, rrugëve, peizazheve dhe mënyrave të jetesës në periudha të ndryshme. Përmes tyre mund të zbulojmë se si ka ndryshuar një qytet, si janë transformuar hapësirat publike dhe cilat vende kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Imagjinoni një tur në Tiranë që ndjek gjurmët e qytetit në kinematografinë shqiptare. Ose një shëtitje në Durrës që lidh historinë urbane me vendet e përdorura në filma. Vizitorët mund të ndalen në hapësira të njohura nga ekrani, të shohin fotografi arkivore, të dëgjojnë histori nga prapaskenat e prodhimit dhe të krahasojnë pamjet e dikurshme me realitetin e sotëm.
Për turistët e huaj, ky mund të jetë një prezantim ndryshe i historisë dhe shoqërisë shqiptare. Për publikun vendas, një mundësi për të rizbuluar filma, artistë dhe vende që kanë shoqëruar breza të tërë. Ndërsa për qytetet, është një mënyrë për të sjellë vëmendje te hapësira që shpesh mbeten jashtë itinerareve tradicionale.
Shqipëria ka më shumë histori për të treguar
Përtej kinematografisë, mundësitë për turizmin tematik janë të shumta.
Tirana mund të zbulohet përmes historive të ndërtesave, arkitekturës, artit urban dhe transformimeve të qytetit. Berati dhe Gjirokastra mund të ofrojnë përvoja që shkojnë përtej vizitave tradicionale, duke lidhur trashëgiminë me historitë e familjeve, mjeshtërinë artizanale dhe jetën e përditshme.
Në qytete të tjera, letërsia, muzika, teatri, fotografia dhe kujtesa lokale mund të bëhen baza për ture të specializuara. Edhe gastronomia mund të rrëfehet si pjesë e identitetit të një zone, përmes produkteve vendase, recetave tradicionale dhe historive që shoqërojnë tryezën shqiptare.
Këto përvoja nuk kërkojnë domosdoshmërisht investime të mëdha infrastrukturore. Ato kërkojnë kërkim, dokumentim, rrëfim cilësor, bashkëpunim me komunitetet dhe një mënyrë të qartë për t’ia prezantuar ofertën vizitorit.
Një ofertë turistike që nuk mbaron në shtator
Një nga përfitimet më të rëndësishme të turizmit tematik është mundësia për të krijuar aktivitete gjatë gjithë vitit.
Një tur kulturor mund të organizohet në pranverë, vjeshtë apo dimër. Një itinerar kinematografik mund të kombinohet me një festival filmi, një ekspozitë, një shfaqje apo një vizitë në arkiv. Një tur letrar mund të përfundojë në një librari, ndërsa një shëtitje mbi historinë e qytetit mund të përfshijë një biznes lokal, një hapësirë artistike ose një takim me krijues.
Kështu, vizita turistike nuk përfundon te fotografia e radhës. Ajo krijon lidhje mes vizitorit dhe ekonomisë lokale, duke sjellë mundësi për profesionistë dhe biznese që nuk janë domosdoshmërisht pjesë e sektorit tradicional të turizmit.
Megjithatë, për ta bërë këtë ofertë të qëndrueshme, turet duhet të kenë informacion të verifikuar, guida të përgatitura, çmime të qarta, sisteme rezervimi dhe promovim të vazhdueshëm. Përfshirja e komuniteteve lokale duhet të jetë pjesë e mënyrës se si krijohen dhe zhvillohen përvojat.
Roli i platformave kulturore dhe sipërmarrjeve krijuese
Për t’i kthyer këto mundësi në produkte konkrete, nevojitet bashkëpunim mes institucioneve kulturore, sektorit të turizmit, arkivave, artistëve, guidave dhe sipërmarrjeve krijuese. Platformat digjitale mund të luajnë një rol të rëndësishëm duke i bërë këto oferta më të dukshme dhe më të lehta për t’u zbuluar e rezervuar. Ato mund të lidhin vizitorët me turet, aktivitetet kulturore dhe historitë që qëndrojnë pas tyre.
Në këtë drejtim, Almanart, si platformë digjitale për artin, kulturën dhe turizmin krijues në Shqipëri, synon të kontribuojë në promovimin e përvojave kulturore dhe zhvillimin e tureve tematike, përfshirë ato me fokus kinematografinë shqiptare.
Kjo është një mënyrë për të krijuar produkte të reja turistike duke u mbështetur te pasuritë që Shqipëria i ka tashmë.
Përgjigjja është po. Por duhet ta ndërtojmë ofertën
Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë mes detit, malit dhe kulturës. Përkundrazi, këto mundësi mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Një vizitor mund të vijë për natyrën dhe të qëndrojë më gjatë për historinë, artin, kinematografinë apo gastronominë. Një qytet mund të bëhet destinacion për atë që shihet, por edhe për historitë që ka për të treguar.
Për këtë arsye, pyetja nuk është nëse Shqipëria ka oferta turistike përtej detit dhe malit. Ato ekzistojnë si potencial, si trashëgimi dhe si përvoja që mund të zhvillohen më tej. Pyetja është sa shpejt do të arrijmë t’i kthejmë në produkte të organizuara, të qëndrueshme dhe të njohura për publikun.
Sepse Shqipëria nuk është vetëm një vend ku shkohet për pushime. Është edhe një vend që mund të zbulohet përmes historive të tij.
Dhe ndoshta udhëtimi më interesant fillon pikërisht aty ku mbaron itinerari i zakonshëm.
Programi “Almanart – Ture kinematografike” realizohet me mbështetjen financiare të Qeverisë Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në kuadër të skemës Grant 2026, dhe zbatohet nga Agjencia Innovation4Albania


