Thirrje për projekte ku mund të përfshihet dhe Shqipëria
Rrjeti Ballkanik i Muzeve shpall thirrjen e tretë për projekte të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Evropës Juglindore Rrjeti Ballkanik i Muzeve (RBM) në emër të Fondacionit Headley nga Mbretëria e Bashkuar shpall thirrjen e tretë radhazi për projekte në kuadër të Fondit Headley SEE për Trashëgimi Kulturore. Fondi mbështet projekte inovatore dhe me ndikim të dedikuara mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në njëmbëdhjetë vende të Evropës Juglindore. Për këtë thirrje janë të disponueshme gjithsej 69.000 euro, të shpërndara në dy kategori: projekte të vogla deri në 5.000 euro me kohëzgjatje deri në dymbëdhjetë muaj, si dhe projekte të mëdha deri në 10.000 euro me kohëzgjatje deri në tetëmbëdhjetë muaj. Fondi mbulon 100% të shpenzimeve të projektit, ndërsa bashkëfinancimi nuk është i detyrueshëm. Të drejtë aplikimi kanë organizatat joqeveritare, muzetë, bibliotekat, arkivat dhe institucione të tjera të trashëgimisë kulturore të regjistruara në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Greqi, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Rumani, Serbi dhe Slloveni.
Çdo projekt duhet të përfshijë të paktën një organizatë partnere. Thirrja është e hapur për propozime që lidhen me konservimin dhe dokumentimin e trashëgimisë, ngritjen e ndërgjegjësimit publik, forcimin e kapaciteteve të organizatave, trajnimin e ekspertëve të rinj, përfshirjen e komuniteteve, si dhe qasje inovatore në interpretimin dhe prezantimin e trashëgimisë. Deklaratë e Sekretares së Përgjithshme të Rrjetit Ballkanik të Muzeve, Aida Vežić: „Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Rrjeti Ballkanik i Muzeve ka mbështetur mbi njëqind projekte në të gjithë rajonin. Secili prej tyre ka kontribuar jo vetëm në mbrojtjen e vendeve apo objekteve konkrete, por edhe në ndërtimin e një sektori që mëson, bashkëpunon dhe rritet së bashku. Me këtë thirrje të tretë sjellim përvoja të reja, kemi prezantuar një proces vlerësimi me dy faza që zvogëlon barrën administrative për aplikantët dhe përgjigjembi vlerësimet për të gjithë ata që aplikojnë, në mënyrë që edhe ata, projekte e të cilëve nuk do të zgjidhen këtë herë, të marrin diçka me vlerë nga ky proces. Jemi tepër të gëzuar për propozimet që vijnë nga institucionet GLAM, galeritë, bibliotekat, arkivat dhe muzetë, sepse pikërisht ato ruajnë shtresat themelore të kujtesës sonë të përbashkët dhe kanë pozitë unike për ta bërë atë të aksesueshme për brezat e rinj.” Aplikantët ftohen të dorëzojnë propozimet deri më 03.06. 2026 përmes platformës në faqen e internetit të fondit. Bashkë me propozimin e projektit duhet të dorëzohet edhe buxheti i detajuar, ndërsa dokumentacioni për kapacitetet e organizatës do të kërkohet vetëm nga aplikantët që do të jenë të listuar në listën e shkurtër. Të gjithë aplikantët pas përfundimit të raundit të parë të vlerësimit do të marrin përgjigje me vlerësimet dhe komentet e komitetit të pavarur të vlerësimit. I gjithë dokumentacioni relevant, duke përfshirë udhëzimet për aplikantët, modelin e propozimit të projektit dhe modelin e buxhetit, është i disponueshëm në: https://headleyseefund.org/third-open-call-for-applications/
Për informacione shtesë, gazetarët mund të drejtohen në adresën info@bmuseums.net. Fondi Headley SEE për Trashëgimi Kulturore është themeluar nga Rrjeti Ballkanik i Muzeve me mbështetjen e Fondacionit Headley nga Mbretëria e Bashkuar. RBM është rrjet rajonal që nga viti 2009 vepron në fushën e praktikës muzeale, mbrojtjes së trashëgimisë dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale në Evropën Juglindore.
headleyseefund.org



