Vepra “Vojcek”, e dramaturgut Büchner premierë në skenën e Teatrit Kombëtar

Aktorët e Teatrit Kombëtar prej kohësh përgatiten për premierën absolute të dramës “Vojcek”, e dramaturgut Georg Büchner. Drama do të vihet në skenë nga regjisori japonez Kuniaki Ida, i cili gjendet prej disa muajsh në vendin tonë.

Drama u shkrua në vitin 1836, kur autori ishte 23 vjeç. Ajo përshkruan dramën e një ushtari të thjeshtë, Franz Vojcek, që therr me thikë të dashurën e vet për motive xhelozie. E vënë në skenë 80 vjet pas krijimit të saj, më 1913 në Mynih, ajo mbetet një nga dramat gjermane më të luajtura në skenat e botës.

Kuniaki Ida ka studiuar format tradicionale japoneze të dramës, Noh dhe Kyōgen. Si regjisor i shfaqjeve teatrale dhe muzikore, por edhe instruktor aktrimi, ai ka punuar në Itali, Japoni, Korenë e Jugut, Portugali, Gjermani, Afrikën e Jugut, Hong Kong, Indi dhe Francë. Kuniaki Ida është një nga themeluesit e Teatro Arsenale në Milano dhe Scuola di Teatro Arsenale. Që nga viti 1976 ai jeton kryesisht në Itali.

Shfaqja do të jepet për 3 netë rradhazi, më 8, 9 dhe 10 shtator, në sallën “Central 400” te ArTurbina dhe ndërkohë ka nisur shitja e biletave.

Almanart