A duhet të qajnë fëmijët e Kainit?

Besoj se të gjithë e njohin historinë e vëllezërve Kain e Abel nga Bibla. Një nga historitë më të vjetra të njerëzimit që vë theksin te “konkurrenca” mes dy vëllezërve.

Kjo paralele u pa e trajtuar gjerësisht në filmin “Bijtë e Kainit” që fitoi në Festivalin e Filmit në Tiranë. Një film rreth 70 minuta ku prekej tema e “shumëtrajtuar sipërfaqësisht” e gjakmarrjes.

Kjo temë është kaq ekzotike për ata që nuk jetojnë në zona si Malësia e Madhe, ku marrja e gjakut është rregulli dhe për fat të keq është ende prezent ndikimi i Kanunit.

Por jo për fëmijët e familjeve në gjak. Sidomos djemtë. Sepse ata e dinë që mund ta kenë ata rradhën e dilemës së familjes së Abelit e Kainit.

Filmi fokusohet te biseda e shumë fëmijëve që flasin me njëri-tjetrin për faljen e gjakut, sesi i duket fakti i ndëshkimit apo hakmarrjes të Zotit ndaj Kainit.

Gjithashtu në film pasqyrohet shoqërimi për në shkollë i këtyre fëmijëve si formë për t’i edukuar, por duke qenë nën besën e mësuesve.

Nana thotë se nuk duhet të rrish poshtë arrës e as ta mbjellësh. Sepse arra merr jetë nga jeta e atij që e mbjell.

E të gjithë janë në ëndërr. Disa syresh ëndërrojnë lirinë në detin e pafund, disa trishtohen nga errësira e natyrës përreth, kurse disa ëndërrojnë syhapur vrapimin me galop si kuajt e lirë teksa i shohin rrugës për në shkollë.

A e fal dot ti gjakun? Një grua e fali gjakun kur i vranë burrin teksa ishte veç 30 vjeçe. E as ajo nuk e di sesi e kishte bërë.

Po Marseli nuk e falte gjakun. Askush nuk e bindi të ishte në të njëjtën ëndërr ku tashmë gjaku falej, hakmarrje nuk kishte.

Sepse Marseli mendonte se nëse çdo gjë do të ishte e mirë, asgjë s’do të kishte më kuptim. Por me rëndësi ishte që të bënte më të mirën që mundej. Sepse pa të keqen, e mira nuk do të vlerësohej.

Dhe Marseli nuk qante. Sepse e kishte pranuar fatin e tij. E nuk mundej ta kundërshtonte. Veçse të ishte në paqe me kismetin e tij.

A është “lufta e fëmijëve” një formë për të na ndërgjegjësuar mbi këtë fenomen? A mund të jetë ky film një ftesë për të mos e harruar qelbëzimin që ka pësuar plaga e Veriut të Shqipërisë?

Almanart