“Creative Mornings” me Ervin Qafmolla
Tema globale e CreativeMornings për muajin korrik është TRUST, rreth së cilës do të flitet në 240 qytetet në botë, që aplikojnë këtë projekt prej vitit 2008.
Në Tiranë kemi ftuar Ervin Qafmolla, producent mediatik dhe ekspert komunikimi, i cili do të ndajë me ne eksperiencën e tij kreative dhe profesionale rreth kësaj teme.
“Besimi është ajo forcë e padukshme që bashkon, vë në lëvizje dhe përmbush qëllimet dhe nevojat tona të përbashkuara. Besimi është çka lidh dy persona me një nyje të fortë dhe të pathyeshme nga asnjë fuqi e jashtme. Besimi, në këtë kuptim, mund të jetë edhe sinonim i dashurisë, dhe ndonëse në thelb gjëra të ndryshme, sa e sa herë i gjejmë këto të dyja të përmendura tok: Dashuri dhe Besim.
Prej lidhjes së saj qelizore, kjo forcë thuajse-intuitive, shumëzohet në grupe, komunitete, shoqëri dhe qytetërime. Ndaj, ato shoqëri që përjetojnë bjerrje apo krizë të besimit, janë të paplota, zemërlëshuara, mosbashkëpunuese, jofunksionale dhe pa çfarëdo vizioni të qartë. Kjo e fundit mund të jetë një fotografi e nxituar por deri-diku e ndershme e Shqipërisë së sotme.
Besimi është, pra, themeli për ndërtimin e aspiratave tona. Pa besim, nuk mund të ndërmarrim asgjë, pa besim nuk do të guxojmë të ëndërrojmë. Pa ëndrra nuk do të përpiqemi të shkojmë askund dhe as të përmbushim diçka më të madhe sesa vogëlsia jonë frikacake. Është besimi te vetja, te tjetri dhe te vetë universi që çliron muzat krijuese nga guva e tyre dhe drejt dritës së botës reale. Vetëm kështu mund të ndërmerren ekspedita të reja, të eksplorohen territore të pashkelura dhe të bëhet çfarëdo gjëje e re që mund ta lejojë, qoftë rutinën profesionale apo dimensionin shpirtëror, për të plotësuar kutin ideal të potencialit tonë.”
Ervin Qafmolla është profesionist me përvojë në media dhe komunikim, i bazuar në Tiranë. Me përvojë të gjerë në gazetari, marrëdhënie me publikun dhe komunikime strategjike, ai ka mbajtur role të ndryshme, duke përfshirë Autor dhe Producent në A2 CNN, Zyrtar i Komunikimit Strategjik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri dhe Planifikues Strategjik në McCann Tirana. Karriera e tij karakterizohet nga përkushtimi ndaj gazetarisë, narrativave përfshirëse dhe strategjive krijuese të komunikimit. Ervini është gjithashtu përkthyes, shkrimtar dhe një kontribuues aktiv në nismat e shoqërisë civile, me fokus të përditësuar së fundmi në përpjekjet kulturore.
Eventi do të mbahet të premten, datë 19 korrik, ora 10:00, te COD, Tiranë.