
“Lexojmë Teatrin” nga “Peizazhet e Fjalës”
Në 17 maj 2020 u shemb në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme Teatri Kombëtar. Kjo datë ka mbetur si memorie e gjithë çfarë i parapriu atij akti, për mirë a për keq.
Vite pas kësaj, realiteti shqiptar e ka parë veten në një spirale ngjarjesh përsëritëse që ndryshojnë performancë, por fabula është po ajo: shoqëria nuk ka imunitet përballë forcës së pushtetit dhe krizave që ai prodhon.
Për ne, ky nuk është përvjetori i shembjes së një monumenti kulture apo i një kauze, është vazhdim i një leximi kulturor dhe qytetar i të sotshmes.
Revista kulturore “Peizazhet e Fjalës” ju fton në një takim maratonë leximesh e reflektimesh që 17 maji evokon.
Pjesëmarrësit që kanë dëshirë të lexojnë (për jo më gjatë se 7-8 minuta), janë të lutur të na lajmërojnë paraprakisht. Një listë me esetë dhe shkrimet e botuara në revistën Peizazhe të Fjalës gjendet në lidhjen më poshtë, por kushdo është i lirë të lexojë nga tekste të botuara gjetiu ose të shkruara rishtas për këtë përvjetor.
Jeni të gjithë të mirëpritur!
