Historiku dhe e ardhmja
“Diversiteti kulturor është burim shkëmbimi, inovacioni dhe krijimtarie” është një nga fjalitë hapëse të Deklaratës Universale mbi Diversitetin Kulturor të UNESCO. Ku takohen arti, identiteti dhe komuniteti? Teksa ky është një nga aktet më të rëndësishme, në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, gjithnjë e më shumë hapësira artistike po tregojnë se kultura e pakicave nuk është thjesht pjesë e trashëgimisë materiale e jomateriale për t’u ruajtur, që vlen për t’u dëgjuar, parë dhe zhvilluar.
Kur flasim për artin dhe kulturën e pakicave kombëtare, shpesh mendimi shkon menjëherë te tradita, folklori, kostumet, këngët apo festat tradicionale. Por identiteti kulturor është shumë më i gjerë se kaq. Ai shfaqet edhe në pikturë, fotografi, muzikë, performancë, film, letërsi, art bashkëkohor dhe në mënyrën se si artistët e rinj zgjedhin të tregojnë historitë e komuniteteve të tyre.
Pikërisht këtu marrin rëndësi hapësirat artistike, nevoja për to mbi të gjitha. Një galeri, një studio, një qendër kulturore apo një vend ku artistët mund të mblidhen nuk është vetëm një adresë fizike. Mund të jetë një vend ku një histori e padëgjuar gjen publik, ku një artist i ri krijon rrjetin e parë profesional, ku një gjuhë apo traditë kalon te brezi tjetër dhe, mbi të gjitha, ku komunitetet takohen me njëri-tjetrin. Ato nuk janë vetëm vende ku ekspozohen vepra apo ku zhvillohen koncerte. Janë vende ku krijohet mundësia për t’u takuar, për të eksperimentuar, për të ndarë kujtesën dhe për të krijuar marrëdhënie të reja mes komuniteteve.
Në këtë artikull do të flasim për 2 hapësira kulturore që gjenden në Tiranë, që kanë fokus të posaçëm ndaj minoriteteve rome, egjiptiane e jo vetëm, në fushën e artit vizual si dhe të muzikës.
“Parking Art Gallery”, një hapësirë për artin dhe dialogun kulturor

“Parking Art Gallery” është një hapësirë alternative artistike e krijuar më 2023, me ndihmën e Komitetit për Pakicat Kombëtare në Shqipëri dhe e themeluar nga artisti vizual kulturor Sead Kazanxhiu. Z. Kazanxhiu, pjesë e komunitetit rom, është një nga figurat e angazhuara të skenës së artit bashkëkohor shqiptar dhe nënkryetar i Bordit të “European Roma Institute for Arts and Culture” (ERIAC) Berlin. Ai është gjithashtu nënkryetar i Komitetit për Pakicat Kombëtare që prej vitit 2021.
Ideja e “Parking Art Gallery” lidhet me nevojën për të krijuar një hapësirë ku artistët e pakicave kombëtare të kenë mundësi të prezantojnë punën e tyre, por jo vetëm. Galeria synon të krijojë diskutim dhe dialog ndërkulturor dhe është e hapur edhe për artistë që nuk i përkasin pakicave, duke e zgjeruar kështu funksionin e saj përtej një hapësire të dedikuar vetëm për një komunitet.
Aktiviteti i galerisë gjatë viteve të fundit tregon pikërisht këtë qasje. Ekspozita “Stacioni i gjelbër”, për shembull, solli punime që trajtonin problematika të komunitetit rom, ndërsa ekspozita të tjera kanë prekur identitetin, gjuhën, traditën, kujtesën dhe marrëdhënien mes kulturës dhe mjedisit. Në vitin 2024, galeria prezantoi edhe “Ëndërr mes fjalësh” të artistes Enxhi Tufa, e cila eksploronte lidhjen me prejardhjen dhe gjuhën bullgare përmes videos, imazhit dhe lojës.
Një tjetër shembull ishte ekspozita “Rrëfime të endura” e artistit Françesko Berati, pjesë e komunitetit egjiptian, ku elementet e veshjeve tradicionale të Elbasanit dhe vargje këngësh të vjetra u rikthyen përmes teknikave bashkëkohore artistike. Ekspozita u konceptua si një reflektim mbi qëndrueshmërinë kulturore dhe diversitetin.
“Parking Art Gallery” ka nisur të ndërtojë gradualisht një histori të vetën, ku identiteti nuk trajtohet vetëm si trashëgimi për t’u ruajtur, por si material krijues që mund të interpretohet, transformohet dhe vijë në jetë në format të ndryshme të artit bashkëkohor.
Përtej ekspozimit të veprave, “Parking Art Gallery” synon të krijojë mundësi për diskutim, përballje me publikun dhe dialog ndërmjet kulturave. Por krijimi i hapësirave të tilla është edhe pjesë e një pyetjeje më të gjerë: çfarë ndodh kur një komunitet ka mundësinë ta tregojë vetë historinë e tij? Dhe çfarë ndodh kur ajo histori nuk prezantohet vetëm përmes traditës, por edhe përmes gjuhës së artit bashkëkohor?
Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat e një hapësire të tillë. Ajo mund të jetë një vend ku artisti nuk kërkohet të jetë vetëm “përfaqësuesi i komunitetit të vet”, por ku mund të jetë thjesht artist, me të drejtën për të eksperimentuar, për të ndryshuar dhe për të krijuar përtej pritshmërive që mund të lidhen me origjinën e tij.
“Music Capitol”, muzika si urë mes komuniteteve



Hapësira e dytë që kemi përzgjedhur, është “Music Capitol” që shërben si studio kulturore nga këndvështrimi i muzikës. Studioja është konceptuar si një hapësirë e hapur dhe e aksesueshme për muzikantë e artistë, veçanërisht për të rinjtë, por edhe për artistë të konsoliduar. Ajo ofron mundësi për prova dhe regjistrime muzikore, ndërsa aktiviteti i saj është zgjeruar edhe në podcast, karaoke, ekspozita, trajnime dhe aktivitete të tjera artistike e kulturore.
Një nga aspektet që përfaqësuesit e “Music Capitol” theksojnë, është hapja ndaj artistëve, pavarësisht prejardhjes së tyre kulturore apo gjuhësore. Kjo e vendos studion në një rol interesant. Tashmë jo domosdoshmërisht si një hapësirë “për një komunitet specifik”, por si një vend ku komunitete të ndryshme mund të takohen dhe të krijojnë së bashku. Për “Music Capitol”, muzika është një mënyrë komunikimi që shprehet lehtësisht, përtej paragjykimeve dhe stereotipeve dhe arrin të krijojë lidhje që jo gjithmonë kanë nevojë për “përkthim”.
Jo vetëm traditë, artisti duhet të ketë lirinë të krijojë
Një nga çështjet më interesante që ngrihet lidhur me këtë temë, është rreziku që artistët nga komunitetet e pakicave të shihen vetëm përmes identitetit të tyre. Një artist mund të ftohet të performojë sepse është rom, maqedonas, grek, boshnjak apo pjesë e një komuniteti tjetër, por kjo nuk duhet të përcaktojë kufijtë e krijimtarisë së tij.
Në këtë kuptim, kultura nuk duhet parë si diçka statike. Përfaqësuesit e “Music Capitol” e shohin traditën si një realitet të gjallë, që mund të marrë forma të reja përmes muzikës bashkëkohore, teksteve, imazheve dhe mënyrave të reja të shprehjes. Një artist i ri duhet të ketë të drejtën ta interpretojë kulturën e vet në mënyrën që zgjedh.
Kjo është një perspektivë e rëndësishme për mënyrën se si flasim për artin e pakicave. Qëllimi nuk është që artistët të mbeten të lidhur vetëm me një repertor tradicional, por që tradita të mund të bëhet pikënisje për krijime të reja.
Kur një studio bëhet edhe “arkiv”
Për “Music Capitol”, roli i hapësirës shkon përtej provave dhe regjistrimeve. Studioja është përshtatur edhe për dokumentimin e historive, dëgjimin e komuniteteve, krijimin e arkivave, ekspozitave, podcasteve dhe projekteve artistike që ruajnë kujtesën. Por ideja është që këto histori të mos mbeten të izoluara brenda komunitetit që i ka krijuar.
Ky është një dimension gjithnjë e më i rëndësishëm i hapësirave kulturore. Ato mund të jenë njëkohësisht vende krijimi dhe vende kujtese. Një regjistrim muzikor, një intervistë, një fotografi apo një podcast mund të shërbejë si dokument për një histori që ndoshta nuk është regjistruar askund tjetër. Dhe kur këto histori dalin nga komuniteti dhe takojnë një publik më të gjerë, ato fitojnë një tjetër jetë.
Nga Shqipëria në Ballkanin Perëndimor
Ideja se hapësirat kulturore janë mjete për fuqizimin e komuniteteve, nuk është e kufizuar vetëm në Shqipëri.
Në Pirot, Serbi, është krijuar “Roma Cultural Centre”, në zonën Rasadnik, pas një kërkese të komunitetit rom. Qendra u mbështet përmes programit ROMACTED të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me administratën e qytetit dhe organizatën rome “Ternipe”. Përveç aktiviteteve kulturore, ajo ka edhe një klasë digjitale dhe funksion edukativ. Në këtë rast, hapësira nuk është konceptuar thjesht si një vend për të prezantuar kulturën rome, por edhe si infrastrukturë që i jep komunitetit mundësi të zhvillojë aktivitete, të mësojë dhe të ruajë trashëgiminë e vet.
Në Kosovë, një tjetër shembull është “KRAH”, një hapësirë multikulturore në Prishtinë që lidhet me historinë, kulturën dhe identitetin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Shembuj të tillë tregojnë se në rajon po rritet interesimi për hapësira ku komunitetet jo vetëm përfaqësohen, por marrin pjesë në mënyrë aktive në prodhimin dhe transmetimin e kulturës.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Talenti nuk është gjithmonë i mjaftueshëm. Artistët e rinj kanë nevojë për hapësirë, pajisje, financim, mentorim, promovim, audiencë dhe rrjete profesionale. Për artistët që vijnë nga komunitete të ndryshme kulturore, këto mundësi janë veçanërisht të rëndësishme.
Për këtë arsye, e ardhmja nuk duhet të jetë vetëm krijimi i më shumë hapësirave, por krijimi i hapësirave të qëndrueshme. Hapësira që nuk varen vetëm nga një projekt i përkohshëm, por mund të zhvillojnë programe të rregullta, artistë rezidentë, bashkëpunime ndërkombëtare, iniciativa për të rinjtë dhe lidhje me hapësira të tjera në Shqipëri dhe në rajon. Kjo është edhe një nga vizionet që “Music Capitol” shpreh për të ardhmen.
Dhe këtu mund të jetë edhe një mundësi për Ballkanin Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti hapësirash artistike që lidh komunitetet përtej kufijve. Një studio në Tiranë mund të bashkëpunojë me një qendër në Pirot, një galeri në Tiranë me një artist në Prishtinë, një festival lokal me një komunitet artistësh nga një vend tjetër i rajonit.
Arti nuk i zhduk dallimet. Ai i bën ato të dukshme, duke na dhënë mjetet që t’i kuptojmë. Çdo komunitet duhet të ketë mundësinë dhe zërin për të rrëfyer historinë, kulturën dhe përvojën e vet. Kur historitë tregohen gjithmonë nga të tjerët, ekziston rreziku që ato të jenë të paplota ose të shihen përmes stereotipeve. Por të kesh hapësirën tënde nuk do të thotë të mbyllesh brenda saj. Përkundrazi.
“Parking Art Gallery” tregon se një hapësirë e lidhur me pakicat mund të hapet ndaj gjithë skenës artistike. “Music Capitol” tregon se një studio mund të shndërrohet në një pikë takimi mes gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Shembujt nga rajoni tregojnë se një qendër kulturore mund të jetë njëkohësisht vend edukimi, krijimi dhe ruajtjeje të kujtesës.
Në fund, ajo që fitohet nuk është thjesht një ekspozitë më shumë, një koncert më shumë apo një hapësirë më shumë. Fitohet një histori më e plotë e kulturës sonë.
Kur artistët e pakicave kanë mundësinë të tregojnë historitë e tyre, ata nuk pasurojnë vetëm komunitetet ku bëjnë pjesë. Pasurojnë të gjithë skenën kulturore. Dhe ndoshta e ardhmja e këtyre hapësirave nuk duhet të matet vetëm me numrin e galerive, studiove apo qendrave që do të krijohen, por me “Sa më shumë zëra do të mund të dëgjojmë?”
Pra, të kesh një zë, por edhe të kesh hapësirë për ta përdorur!
Përgatiti: Gjyljana Bakalli
DISCLAIMER: Ky produkt mediatik është zhvilluar në kuadër të projektit “Gazetaria Alternative – Sfidimi i Narrativave të Raportimit mbi Komunitetet e Margjinalizuara në Mediat Online!”, i zbatuar nga IRCA dhe i mbështetur përmes projektit MEdIA–Lit, i cili zbatohet nga Qendra për Edukim Qytetar (CCE/CGO), në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën për Ekselencë Gazetareske në Tiranë, Shqipëri (TCJE) dhe Atlantic Initiative në Bosnje dhe Hercegovinë (AI). Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare e Qeverisë së Malit të Zi.
Përmbajtja e këtij produkti mediatik është përgjegjësi vetëm e IRCA dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës për Edukim Qytetar (CCE/CGO), Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrës për Ekselencë Gazetareske në Tiranë (TCJE), Atlantic Initiative në Bosnje dhe Hercegovinë (AI), Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare të Qeverisë së Malit të Zi.



