Kujtimit të Lume Blloshmit, në ditën e lindjes

Lume Blloshmi Krenar Zejno

Kujtimit të Lume Blloshmit, në ditën e lindjes

OKAZION: LIKUIDIM TOTAL!

expo Zenit: Lume Blloshmi 2004

Krenar Zejno, koncepti kuratorial

Arti i Lume Blloshmit, përmes një akti artistik të thjeshtë në dukje, tenton një ekspozitë nga pozitat e një paradoksi ekstrem: duke e shndërruar gjithë galerinë Zenit në një instalacion ready-made, ku vendin e veprave e zënë vetë mallrat dhe çmimet në posterat e ofertave publicitare, me thirrjet e ulurimat për t’u shitur sa më parë. Përmes imazhit të mallit si dhe imazhit të parasë si ikona e tij, ironia e artit e përcjell kundërshtinë ndaj zhurmës së botës mall duke e shtyrë gjer në limit të tensionit ikonik: pra, duke na e shpërfaqur si tablo mozaik, vetë këtë botë mallrash e parash.

Mbi spektaklin si vizion i botës së objektivizuar dhe raport i vështirë mes përmbajtjes dhe dukjes, do të na lypset këtu një sqarim terminologjik, sajë të cilit mbase jemi duke rënë në një konstatim: emërtimi spektakël, i cili në gjuhën e përditshme konotohet mësëshumti me skenën, ekranin dhe shfaqjen “artistike”, është mbase vetë djallëzia e shoqërisë së spektaklit – kolektivitet i sasisë së mallrave – për të fshehur veten dhe shëmtinë e vetisë tribale të saj nëpër labirinthet e gjuhës. Dhe, kësisoj, për t’i ngrehur kurthin mundësisë për ta parë atë qartësisht e lakuriq. Ashtu siç e pa për një çast një nga denoncuesit më të parë, Debor, skicuar vërtetësisht në veprën Shoqëria e Spektaklit: njëherit si qëllimi edhe mjeti, projekti dhe rezultati i mënyrës së prodhimit. Për ta perceptuar, pra, jo si shtojcë dekorimi, por si vetë zemra e irrealizmit të shoqërisë reale, nën postulatin: ajo që duket është e mirë; ajo që është e mirë, duket. Dhe, më tej, si një princip themelor i Spektaklit, në luftë të përhershme opiumi për të bërë të dorëzohesh në betejën për të pranuar identifikimin e të Mirës me Mallrat.

Ndërkaq, reagimi performativ dhe abstragimi i artit të Blloshmit na ofron përmes femrave reklamuese nën makiazhin e rënduar, veçse trakte të bardha. Letra e pashkruar, bardhësia dhe pashprehshmëria e së cilës implikon hiçin dhe absurdin, lë për t’u kuptuar se nuk ka shumë rëndësi e thëna mbi produktin, por veçse tërheqja e shqisave mbi këmbënguljen ekzistenciale të tij, jetëgjatësia e të cilit mbetet e varur nga shitjet, dhe kjo e fundit nga përsëritja e psallmit me emrin e pagezimit te mallit.

Sa më insistuese e mediatike të jetë thirrja e emrit, aq më shumë konsolidohet hegjemonia e mallit në tregun e shoqërisë së spektaklit. Mbyllur nga të katër anët brenda mureve ku ushtria e mercenarëve (shfaqur këtu me elegancë femërore dhe estetikë joshëse, si dishepuj të pagojë të këtij malli), ta lënë ofertën në dorë pa asnjë spjegim. Mjafton që prania e produktit në perceptimin e kandidatit blerës të mos reshtë. Deri sa të besohet e të krijojë statusin ikonik të emrit, firmës si shenjë identitare dhe atashimit të rekrutit rishtar të saj në arradhën e emërtesës së klanit të mirëqenies, shijes, lavdisë.

Moderniteti në art, bashkë me perkursorin e vet Bodler, lindi edhe shqetësimin me rezultatin kritik të këtij lidhur me ‘Progresin si zvogёlim progresiv i shpirtit dhe dominim progresiv i materies’, duke e kundёrshtuar kësisoj vetë Bodleri, pra nga pozitat e modernes, edhe “palёn moderne”. Bodleri, veç të tjerash, këtë rrezik me aleat mediatik të shoqërisë së spektaklit do ketë parandjerë kur qesëndiste se lavdia është rezultat i përshtatjes me klimën e budallallëkut kombëtar. Tashmë dhe aktualisht, edhe si një profeci mbi triumfin global të trimërisë imperiale të mallit në rang ndërkombëtar.

Kurse Marksi, që do-s’do s’ka si mungon këtu, me analogjinë pothuaj “artistike” mbi asketizmin e mallit, anën njёherit puritane dhe fantazmike-enigmatike, e gjer te aparenca, iluzioni dhe falsiteti i vlerave, do të apelonte në fakt edhe rrezikun e anasjelltë, atë të rëshqitjes së botës së artit në ferr-parajsën e botës së mallit.

Tiparet e hegjemonisë së mallrave si simulimi, simulacrumi, fetishizimi – nga të cilat është afashinuar dhe korruptuar jo vetëm bota e konsumit, por e infektuar edhe vetë bota e artit-, janë kthyer tashmë në simptomat e sëmundjes, nëmos dhe, largqoftë: të vetëdorëzimit vullnetar të artit kah eutanazisë.

Kritika e sotme dhe filozofia e artit, nga Debor te Baudrillard, e ka lëshuar sinjalin mbi gjendjen që kërcënon artin bashkëkohor, në shoqërizimin spektakolar ku tashmë mallrat bëjnë njeriun! Mirëpo, me sa duket, vetë kjo gjendje bëhet aq joshëse për t’u “kritikuar”, saqë të rrëmben në analet e kritikës post-postmoderne, nën ironinë e së cilës, malli zot edhe spektakël, vetëm sa qeshet dhe vijon, triumfator, të sundojë butësisht, tanimë me konsensus e ultrademokratikisht. Dhe të vetëblihet në botën e mbarë vlerave të nxjerra në shitje.

E ndoshta, nën të tillë marrëzi, paradoksalisht vetëm sa guduliset nga zemërata e artit dhe mëria e gjuhës e konceptit kuratorial:

Okazion – Likuidim Total!

Tautologjia dhe paradoksi paraprijnë emërtesën e ekspozesë së Blloshmit. Dy pjesët e titullit i kemi vendosur si palë ndërluftuese, në pritje të dorëzimit të njërës prej tyre e në prag të ngritjes së flamurit të bardhë. Por jo pa kushte… sepse, mandej, me paratë – rezultat i tentacionit prej grackës apeluese “Okazion”, do të riciklohet iluzioni i radhës dhe përsëritja e vijueshme. Me pasojë, diku shumëfishin e shitjeve, diku rrënimin total. Prej konceptit dhe antinomisë qysh në titull, arti performativ nis kështu angazhimin, sipas karakterit të vet edhe misionar, për të na vëmendësuar mbi atë princip mortal që mbjell tregu i garës mes mallrave: “ Vdekja jote – Jeta ime”. Por edhe me thirrmën e mortjes si okazion postum ose si kurth ndaj blerësit: “ Vdekja ime – Jeta jote”, si parim nekro-logjik i cili gjithë e më tepër zotëron me shpallje nekrologjike vitrinat moderne. Përpos e pas tyre, tunden traktet e ofertave vitale që ngjallin kureshtinë, si dhe shtyjnë e shtijnë, mbi mëdyshjen e kalimtarëve të rastit, tek cysin fatin e okazionit rast fatal. Përbrenda, tejdukshmëria nxit tundimin nga prania e njerëzisë gjatë aktit tribal, teksa rrëmon tezgat e likuidimit final. Si në savanë, ku era shpërhap duhmën e kërmës… dhe kjo, natyrshëm, thërret hienat.

E tepruar? Arti, e dimë, banon hapësirat e fushave të ekzagjerimit. Ah, as kjo nuk do të ishte më një përgjigje që përligj, sepse tashmë, pikërisht kjo është edhe vetë metoda me të cilën malli e vret artin me armën e këtij vetë.

Atëherë, le të kthehemi këtu ku ishim – mbase kot sa u shpërngulëm deri në savanë -, të rrimë këtu, këtu, në dorezimin te shoqërizimi spektakolar ku tashmë mallrat bëjnë njeriun; ku edhe në mallra duket se po zotëron ajo kredo monoteiste e të paturit një dhe vetëm një zot! Si në shoqërinë harmonike të mallit që ka zot pra, mallit valë apo materie qoftë: mallit zot edhe spektakël, ynëzot Mallit, teksa “vetëkundrohet në botën që ai vetë ka krijuar”.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.