Lexojmë: “Silogjizmat e hidhërimit” nga Emil Cioran

Fragment nga libri

Rrëgjimi i fjalëve

Ne të formuar në shkollën e njerëzve mëdyshtarë, admirues të fragmentares dhe të damkosjes së tjetrit – i përkasim një kohe klinike që vë në hesap veçse rastet. Hallavitemi rreth asaj që një shkrimtar ka lënë pa thënë, asaj që mund ta kishte thënë, pra mbi thellësitë e tij memece. Nëse ka lënë një vepër, nëse e ka ftilluar atë, është e sigurt: e ka garantuar harresën tonë.

Magjia e artistit të parealizuar…, e një të mposhturi që i ka humbur zhgënjimet, i paaftë t’i bënte ato fruta të pjekura.

***

Kaq e kaq faqe, kaq e kaq libra që kanë qenë burime emocionesh dhe që i rilexojmë veç për të studjuar cilësinë e ndajfoljeve, apo veçorinë e mbiemrave!

***

Tek idiotësia ka diçka serioze, e cila, po të orientohej më mirë, mund ta rriste kapicën e kryeveprave.


***

Pa ato dyshimet rreth vetes, skepticizmi ynë do të ishte letërsi e vdekur, ankth konvencional, doktrinë filozofike.

***

Sa për “të vërtetat”: ne nuk orvatemi më të mbartim më tej peshën e tyre, të jemi bashkëfajtorë, apo dyshues, te to. Ëndërroj një botë, ku mund të vdiset për një presje.

***

Sa i dua mendjet e dorës të dytë (Joubert-in, përmbi të gjithë), të cilat, për shkak të delikatesës, jetuan nën hijen e gjenialitetit të të tjerëve dhe, të frikur se mund të ishin edhe vetë gjenialë, e zmbrapsën tej të tyren!

***

Nëse Molieri do të ulte kokën për të kundruar humnerat e veta, atëherë Paskali (me humnerën e tij) do të dukej si gazetar.

***

Njerëzit e sigurt s’kanë fare stil. Meraku për t’i zgjedhur mirë fjalët është privilegj i atyre që s’munden të qetohen te një besim. Ngaqë s’kanë mbështetje solide, ata iu qepen fjalëve këtyre shëmbëlltyrave të realitetit; të tjerët, të fortë në bindjet e veta, i përbuzin dukjet dhe kullandrisen me komfortin që sjell improvizimi.

***

Mos iu ki besë atyre që i kthejnë kurrizin dashurise, ambicies, shoqërisë. Do të kërkojnë revansh për atë që kanë mohuar.

Për të blerë librin mund të klikoni më poshtë:

Almanart